Tuesday, May 12, 2020
Kosova e pavarur dhe flamuri i saj
Kosova po ecën drejt pavarësimit të saj. Fundi i kësaj rrugë paqeje shumë po i gëzon, ndërkohë që shumë të tjerë po i shqetëson. Shqetësimet i përkasin natyrës njerëzore dhe hutimet luhaten nga përfytyrime vetjake e deri tek ato ngrehinave ndërshtetërore. Një hutim për një gjë mjaft të dukshme, por edhe të rëndësishme, është edhe hutimi në lidhje me flamurin e shtetit të ardhshëm të pavarur të Kosovës. Edhe pse tani për tani një shqetësim i tillë është vendosur në harresë, ai vetvetiu është ndjerë edhe ndër shqiptarët. Për më shumë, çështja bëhet më e mprehtë ngaqë një pavarësi e vlefshme e Kosovës do të thotë që ajo të njihet nga shtete të tjera dhe organizata ndërshtetërore. Në një situtatë të tillë, dashakeqësit e paqes në Evropën Juglindore do të gjenin një syth për t'u përkujdesur që harmonia midis shqiptarëve të thumbohej dhe begatia e përparimi i Evropës Juglindore në udhët e qytetërimit të ishin të brishtë. Shteti në Kosovë duhet të jetë i qytetarëve që kanë dhënë e japin për këtë Kosovë të pavarur e që kanë bashkëpunuar me bashkësinë e qytetëruar ndërkombëtare në këtë proces. Shteti i Kosovës së pavarur nuk iu përket atyre që e kanë pushtuar, plaçkitur, gjakosur e dhunuar Kosovën ose që edhe tani e sabotojnë apo e pengojnë të eci në rrugën e përparimit dhe bashkëpunimit me bashkësinë e qytetëruar ndërkombëtare. Megjithëse, roli udhëheqës iu takon shqiptarëve në Kosovë, duhet që të urtët e saj të mos krenohen me fjalë, por të shqyrtojnë nëse ato fjalë janë në përputhje me gjërat për të mirën e qytetarëve të Kosovës. Rrjedhimisht, edhe shenja përfaqësuese e shtetit të pavarur të Kosovës, domethënë e flamurit, nuk mund të jetë shenjë e pjesshme (partiake e thënë joshqip) apo një hartim me ngjyra zbukuruese. Aq më shumë që pavarësi e Kosovës nuk do të thotë pavarësi vetjake e ndokujt. Pavarësi e Kosovës nuk do të thotë të pranosh çfarëdolloj hartimi për flamurin, vetëm e vetëm që të arrihet ajo "e shkretë pavarësi". Pavarësia e Kosovës do të thotë në radhë të parë përgjegjësi, respekt, punë, zhvillim e mosndalim. Pavarësia e Kosovës nuk do të thotë që Kosova e pavarur të përfaqësohet nga një flamur që s'iu përket kombit të qytetarëve të saj dhe atyre t'iu thuhet me cinizëm: "Mbajeni flamurin tuaj kombëtar brenda shtëpisë". Nga këndvështrimi ndërshtetëror, Kosova e pavarur dhe Shqipëria zyrtare nuk do prishnin rregullin dhe paqen midis midis tyre apo shteteve të tjera nëse do të kishin të njëjtin himn dhe flamur. Sepse ka shembull të ngjashëm e të harmonishëm midis dy shteteve të rëndësishme, Italisë e Irlandës, të cilët kanë të njëjtin flamur më pak ndryshim vetëm tek ngjyra e shiritit të kuq. Kjo shihet në figurat e mëposhtme të flamujve të tyre. Pra, zgjidhja e problemit në fjalë del tani qartë: meqenëse spektri i kuq ka gjatësi vale 647-700 nm, atëherë shteti i Kosovës dhe Shqipëria zyrtare të kenë të njëjtin flamur, por me një ndryshim në ngjyrën e kuqe, të marrë nga spektri i kuq i ngjyrës. (Madje, edhe pak ndryshim në paraqitjen e shqiponjës dykrenëshe do të shtonte një ndryshim tjetër të harmonishëm në këtë drejtim). Saimir Lolja
Subscribe to:
Post Comments (Atom)
No comments:
Post a Comment